Megjithëse vlerësohet se rreziku më i madh është tejkaluar me operacionet e njëkohëshme ndaj dy situatave të pengmarrjeve në Paris, autoritetet franceze nuk e kanë ulur nivelin e alarmit dhe janë vënë në gjueti të bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm të tre terroristëve të vrarë një ditë më parë.
Mes tyre është edhe Hayat Boumeddiene, partnerja e Amedy Coulibaly, i vrarë nga policia gjatë operacionit për lirimin e gjashtë pengjeve që 32-vjeçari mbante në një supermarket në Lindje të Parisit. Sipas informacioneve, besohet se ajo ndodhej me Coulibaly-n në momentin kur ky i fundit është qëlluar për vdekje nga forcat speciale, por mundi të arratisej në rrethana që mbeten ende për t’u zbardhur. Policia franceze e përshkruan atë “të armatosur dhe me rrezikshmëri të lartë”. Të premten, pak orë pas përfundimit të operacioneve ku u angazhuan 88 mijë forca të rendit, Presidenti francez, Francois Hollande vlerësoi punën e tyre, por kërkoi që të mos ulet vigjilenca pasi rreziku i sulmeve të tjera mbetet i pranishëm. “Duhet të jemi vigjilentë dhe ju kërkoj që në këto momente të jemi të bashkuar. Bashkimi është arma jonë më e fortë, arma jonë më e mirë”, deklaroi ai. Kryeprokurori francez, Francois Molins tha se autoritetet janë përqendruar tek Moumeddiene. 26-vjeçarja besohet se ka qenë me Coulibaly-n edhe në momentin e vrasjes së një oficereje policie në rrugët e Parisit ditën e enjte. Që të dy u zhdukën pa lënë gjurmë pak pas vrasjes, për t’u rishfaqur sërish ditën e premte, pak pas rrethimit të vëllezërve Kouachi në një shtypshkronjë në veri të Francës. *** Nga vrasjet në Charlie Hebdo e deri tek dy operacionet e forcave speciale franceze; 20 të vrarë, 19 të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë, shkurtimisht ja çfarë tronditi Francën në tre ditë: 1) E mërkurë, 7 janar, 11:30, 12 vetë vritën gjatë sulmit në redaksinë e Charlie Hebdo, dy prej tyre policë 2) E mërkurë, 7 janar, 23:40, policia franceze bastis një zonë në Reims ku dy vëllezërit kishin jetuar vitin e fundit; arrestohen të afërmit e tyre 3) E mërkurë, 23:00, i dyshuari si shoferi i dy terroristëve, Hamyd Mourad, 18 vjeç dorëzohet në Charleville-Meizeres, në veri të Francës, pranë kufirit me Belgjikën. 4) E enjte, 8 janar. 08:45, një oficere policie qëllohet për vdekje nga një person i armatosur rëndë dhe me veshje antiplumb në Portle de Chatillon 5) E enjte 13:00, raportohet një grabitje në një pikë karburanti në Villers-Cotterets; të dyshuarit janë dy vëllezërit e akuzuar për masakrën në Charlie Hebdo 6) E enjte, 15:00, policia franceze nis kontrollin në pyje dhe shtëpi më shtëpi në Longpont, zonën ku u raportua grabitja 7) E premte, 08:00. Raportohet grabitja e makinës së një mësuesi në Montagny Sainte Felicite 8) E premte, 17:00, forcat speciale franceze ndërhyjnë dhe vrasin dy vëllezërit të strehuar në një shtypshkronjë. Lirohet pengu 9) E premte, ora 17:00, shpërthime të fuqishme dëgjohen në një dyqan ushqimor në Porte de Vincennes, ku Amedy Coulibaly mbante peng gjashtë pengje nën kërcënimin e kallashnikovëve. Vetë Coulibaly mbeti i vrarë, sa për pengjet mbetet ende për t’u mësuar.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)

No comments:
Post a Comment